Gjatë së premtes, shtatë shkolla në Prishtinë kanë shkurtuar procesin mësimor si pasojë e mungesës së funksionimit të sistemit të ngrohjes.
“Në shkollën tona u shkurtua orari mësimorë 25 minuta, arsyeja ka qene rrjedhja e ujit në sistemin e ngrohjes janë njoftuar edhe DKA-ja, tha Halimi”.
Për këtë, miratimin e dha vetë Drejtoria e Arsimit.
“Që nga mëngjesi kemi marrë konfirmime dhe kemi aprovuar shkurtimin e orarit në 7 shkolla si pasojë e mosfunksionimit të ngrohjes nga Termokosi. Ky ndryshim i papritur i motit nuk na ka zënë të papërgatitur, por duhet që në të ardhmen të kemi një koordinim më të mirë me Termokosin, në mënyrë që për ndryshime të tilla të shpejta të motit të kemi mundësinë edhe për lëshimin e ngrohjes për një ditë a dy, tha Shahini”.
Shkolla të tjera në Kryeqytet kanë vazhduar procesin mësimor, si zakonisht.
Ngrohja në shkolla nis më 15 tetor. Por drejtori i shkollës Pavarësia, Halil Brahaj, thotë se nëse vazhdon situata me të ftohtin, do të ndërmarrin masa alternative.
“Ulja e temperaturave ndikon dhe e përkeqëson situatën edhe nëpër institucione arsimore. Por, nëse situata vazhdon kështu, kemi servisuar gjeneratorin dhe mund të bëjmë ndezjen e tij, tha Brahaj”.
Ndërkohë, nga Termokos njoftojnë se po bëhen testimet e fundit për të filluar sezonin e ngrohjes.
“Aktualisht, janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe gjithë sistemit të ngrohjes. Në rast se kushtet klimatike mbeten të njëjta, ditëve të ardhshme do të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje për gjithë konsumatorët tanë”.
Nga drejtoria e Arsimit thanë se, pavarësisht se nuk kanë pasur ngrohje, çerdhet në Prishtinë nuk e kanë shkurtuar orarin e punës.







