Partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës ende nuk kanë pajtim për formën e dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë së në Kuvend s’ka kërkesë zyrtare për shpërndarje të legjislaturës së tetë, derisa theksojnë gatishmërinë për zgjedhje, por presin unifikimin e opozitës. Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë të mos dakordohen se si të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme. Në PDK presin që deri më 30 maj të shpërndahet Kuvendi, siç thonë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme më 30 qershor ose më së largu 7 korrik.
Ndërkaq, AAK-ja si të vetmen formë të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme e sheh dorëheqjen ose shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti. Këtë të fundit synojnë të realizojnë në seancën e Kuvendit të premten, ku në debatin për tri vjet qeverisje të Kurtit pritet të prezantojnë një rezolutë për shkarkimin e tij.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se s’kanë frikë nga shkuarja në zgjedhje të parakohshme, mirëpo opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj.
Ajo u shpreh kundër rezolutës së AAK-së për shkarkimin e kryeministrit Kurti.
“Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit s’ka. Është vetëm kërkesa për debatin tri vjet qeverisje, e cila pritet të trajtohet ditën e premte. Ai është propozim i GP të AAK-së të cilët kanë propozuar edhe rrëzimin e qeverisë për të cilin ne jemi deklaruar që nuk e mbështesim dhe nuk konsiderojmë që të votohet në favor të kësaj kërkese…Asnjëherë nuk kemi thënë se kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfigurimi i mandatit te sovrani. Megjithatë nuk mund të bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj, në fund të fundit opozita është ajo që kërkon zgjedhje apo ndryshim të qeverisjes, ndërsa ne konsiderojmë se kjo qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për një mandat të rregullt”, tha ajo.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ritheksoi nevojën e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Ai paraqiti datën e fundit si opsion për shpërndarjen e Kuvendit, derisa tha se po punojnë intensivisht me partitë opozitare për t’u dakorduar për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas tij, s’ka kuptim mbajtja e zgjedhjeve të në vjeshtë, pasi atëherë veçse vendi hynë në zgjedhje të rregullta.
“Jemi në afatet e fundit kohore kur duhet të procedohet me mocionin për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi ynë t’i drejtohet kutive të votimit, me datën 30 qershor apo 7 korrik. Prandaj e them para jush se data 30 maj që i bie e enjtja tjetër është data e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të shpërndahet në mënyrë që vendi t’i kap afatet kohore 30 qershor apo 7 korrik si data që i kemi propozuar. Deri tani ende s’kemi një situatë kur kemi një dakordim ndërmjet grupeve parlamentare në Kuvend që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme…Si Grup Parlamentar i PDK-së jemi në komunikim intensiv me të gjitha palët në mënyrë që këto data mos t’i humbin dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ju e dini se të vetëm si GP nuk e kemi atë fuqi në Kuvend, mirëpo kemi potencuar në vazhdimësi të gjitha dëmet që qytetarët po i vuajnë për shkak të një qeverisje të dobët dhe degraduese. Është mirë që këtë gjuhë të përbashkët që kemi pasur si opozitë të finalizojmë me një seancë e cila do të mbahet javën tjetër”, theksoi ai.
Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do të përkrahim opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, pasi sipas tij, përmes kësaj forme kryeministri Kurti po amnistohet për dështimin në ekzekutiv.
Ai tha se qeverinë e ardhshme duhet të drejtojë opozita e tanishme në Kuvend.
“Shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje për qeverinë Kurti. Në një formë marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimin e qeverisë. Shpërndarja duhet të vjen vetëm atëherë arrijmë të shkarkojmë një qeveri të dëmshme apo kur dorëhiqet, por jo në asnjë situatë që Kuvendi të merr një përgjegjësi që nuk i takon. Ne jemi në vit zgjedhor. Nëse shihni kalendarin zgjedhor për tre muaj apo katër muaj duhet të shpallet data e zgjedhjeve. Kosova është në zgjedhje. Pyetja që dua t’ia bëjë qytetarëve dhe vet kryeministrit Kurti, si u bë ky kaq i mirë me opozitën që t’ia votojë mocionin për të shkuar në zgjedhje, pas tri vjet që s’ka asnjë mekanizëm për ta goditur opozitën. Zotëri Kurti ka dështuar. Dështimin e tij dëshiron t’ia faturojë opozitës duke u viktimizuar”, tha Tahiri.
Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktuan dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Të zgjedhurit e popullit do të mblidhen të enjten për të vazhduar pikat nga seancat e kaluara, ndërsa të premten do të mbahet seancë për të debatin parlamentar për tri vjet qeverisje të Qeverisë Kurti.