Përgatita: Haris Ademi
Kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës ka mundësi t’i zë edhe pranvera në këto poste. Sipas partisë në pushtetin qendror, por edhe njohësve të proceseve zgjedhore, mund të kalojnë edhe disa muaj deri te shpallja e zgjedhjeve të reja.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se është në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionet për shkarkim të liderëve lokalë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se kjo varet nga vullneti i serbëve lokalë, nëse do ta përkrahin rrëzimin e kryetarëve atje.
“Nuk mund të flasim për afate sepse këto marrin kohë dhe varet çfarë dinamike ndiqet atje. Por nëse dalin 50.1 për qind dhe votojnë për largimin e tyre, padyshim se zgjedhjet janë një fakt i kryer. Mos të harrojmë kjo situatë është krijuar përsëri si pasojë e veprimi politik të Serbisë për t’i detyruar serbët që të tërhiqen nga institucionet”, tha Rrustemi.
Ndërsa ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, tregon se procedurat e pamundësojnë përshpejtimin e procesit.
“Siç pritet dhe shihet do të ketë nevojë edhe për disa muaj kohë që këto formalitet informuese të kryhet, pastaj që të ketë ose jo sukses. Nëse s’ka sukses iniciativa, atëherë 1 vit s’ka mundësi sipas udhëzimit administrativ që të iniciohet një iniciativë e re qytetarësh për të përmbushur 20 për qindshin e trupës elektorale që të nis sërish një iniciativë të re për shkarkimin të kryetarëve”, tha Baraliu.
Sipas udhëzimit administrativ, pasi që KQZ-ja i konfirmon nënshkrimet e mbledhura në komision, e organizon votimin për shkarkim të kryetarit, ku kërkohet 50% plus një votues, për të pasur sukses.
Më pas i mbetet presidentes që brenda 30 deri 45 ditësh, t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për katër komunat me shumicë serbe.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: