Shoqëria civile në vend shprehet e shqetësuar me prolongimin e emërimit të guvernatorit të ri në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, nëpër mjete një njoftimi kanë shprehur shqetësimin e thellë lidhur me prolongimin e emërimit të Guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës(BQK) në pajtim me ligjin.
Sipas këtij njoftimi, konkursi të kthehet në pikën zero, pa dhënë asnjë arsyetim ligjor për këtë.
Shoqëria civilie konsideron se përderisa kishte një proces të ligjshëm dhe transparent i cili ka prodhuar një listë me emrat e kandidatëve të cilët i janë dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti të vendos sa më parë në pajtim me rregullat ligjore dhe të marrë vendim në lidhje me pozitën e Guvernatorit të BQK-së.
“Thënë këtë, konsiderojmë që përderisa kishte një proces të ligjshëm dhe transparent i cili ka prodhuar një listë me emrat e kandidatëve të cilët i janë dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti të vendos sa më parë në pajtim me rregullat ligjore dhe të marrë vendim në lidhje me pozitën e Guvernatorit të BQK-së”, thuhet në njoftim.
Që nga nëntori i vitit 2022, BQK, kishte publikuar shpalljen për plotësimin e pozitës së Guvernatorit. Pas mbajtjes së intervistave në janar të vitit 2023 nga komisioni përzgjedhës të njëjtit kishin njoftuar më pas se katër (4) kandidatë kishin hyrë në listën e ngushtë.
“Lista me emrat e kandidatëve e rekomanduar ishte prezantuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e datës 07.04.2023. Anëtarët e Komisionit me shumicë votash i kanë rekomanduar Kuvendit të Republikës së Kosovës se konkursi për guvernator të BQK-së, nuk i ka përmbushur kriteret ligjore respektivisht nenet 38 dhe 40 të Ligjit për Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht kanë kërkuar që konkursi të kthehet në pikën zero. Ndonëse të njejtit nuk kanë dhënë asnjë arsyetim ligjor për këtë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, neni 38, paragrafi 6 i Ligjit për Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thekson se “Procedurat e emërimit të referuara në paragrafët 1 deri 5 të këtij neni përfundojnë brenda dyzetepesë (45) ditëve kalendarike para përfundimit të mandatit të anëtarit përkatës të Bordit të Bankës Qendrore apo Bordit Ekzekutiv”.
Ky konkurs ka qenë i hapur që nga nëntori i vitit 2022 dhe mandati i guvernatorit ka përfunduar afërsisht që dy muaj. Vlen të theksohet se detyrat dhe kompetencat e guvernatorit janë të rëndësisë së lartë pasi që i njëjti është përgjegjës për drejtimin dhe kontrollin e administrimit dhe operacioneve të Bankës Qendrore.