Tre zyrtarët policorë të rrëmbyer nga Forcat Speciale të Serbisë, një javë më parë, të martën janë vizituar nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.
Pjesë nga biseda që shefi i zyrës së Kosovës në Serbi pati me policët veç e veç, me gazetarë në një konferencë për media, ndau kryeministri Albin Kurti.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”, tha Kurti.
Zyrtarët policorë janë duke qëndruar në Qendrën e Paraburgimit në Kralevë, derisa sipas ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, nuk janë keqtrajtuar.
“Gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë keqtrajtuar fizikisht, por nuk u është dhënë ushqim i mjaftueshëm, pra nuk u është dhënë më shumë se një copë bukë. Ata tani janë të vendosur në dhoma të veçanta, tek e tek, dhe nuk kanë qasje as në televizion apo diçka tjetër. Z. Shemë Mustafa ka njoftuar se ende i mungojnë medikamentet bazike që i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson gjendjen e tij në burg. Atyre u është thënë se do të mund të vizitohen nga familjarët e tyre të premten”, tha Gërvalla.
Pasi kryeministri Albin Kurti u njoftua për gjendjen e tre policëve kufitarë, tha së është i gatshëm ta takojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që deeskalimi të cilin po e kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Po të njëjtën ditë, është raportuar se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë, Dejan Pavicevic, ka vizituar serbët e arrestuar së fundi nga autoritetet e Kosovës. Të pyetur nëse vizita e Jetish Jasharit në Kralevë është kushtëzuar me vizitën e Dejan Paviçeviq, Kurti e Gërvalla e mohuan një gjë të tillë.
Shemë Mustafa, Beqir Sefa dhe Rifat Zeka u rrëmbyen më 14 qershor në pjesën veriore në kufirin me Serbinë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: