SHBA ka hequr shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit de fakto të Sirisë Ahmed al-Sharaa, pas takimeve midis diplomatëve të lartë dhe përfaqësuesve të Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Barbara Leaf tha se diskutimi me Sharaa ishte “shumë produktiv”.
“Ishte një vendim politik … i përafruar me faktin se ne po fillojmë një diskutim me HTS”, tha Leaf.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit konfirmoi se diplomatët diskutuan “parimet e tranzicionit” të mbështetura nga SHBA, ngjarjet rajonale dhe nevojën për të luftuar kundër IS.
Delegacioni amerikan mbërriti në kryeqytetin Damask, pasi HTS përmbysi regjimin e Bashar al-Assad më pak se dy javë më parë. Uashingtoni ende e cilëson atë si një grup terrorist.
Vizita është paraqitja e parë zyrtare diplomatike amerikane në Damask në më shumë se një dekadë. Është një shenjë e mëtejshme e ndryshimeve dramatike që po ndodhin në Siri që nga rrëzimi i Assadit, dhe shpejtësia e përpjekjeve të SHBA-së dhe Evropës, të mbështetura gjithashtu nga vendet arabe, për të provuar të ndikojnë në qeverisjen e saj në zhvillim.
Vizita pason ato të delegacioneve të ditëve të fundit nga OKB-ja dhe vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë./abcnews.al