Pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila konfirmoi kompetencën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të përcaktuar rregullat mbi uniformën shkollore, ka reaguar Imami i Prishtinës, Labinot Maliqi.
Maliqi ka vënë në pah se, edhe pse vendimi është formalisht i vlefshëm, ai ngre shqetësime të mëdha në lidhje me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë.
“Ministria e Arsimit ka autoritet ligjor për të vendosur uniformën, por nuk ka të drejtë të kufizojë bindjet fetare të nxënësve. Shamia me fytyrë të dukshme nuk është pjesë e uniformës shkollore, dhe as nuk e zëvendëson atë, por përbën një shprehje të lirë të besimit individual,” ka theksuar Maliqi.
Ai ka shtuar se nxënëset që mbajnë shami gjithmonë kanë respektuar uniformën dhe rregullat e shkollës, dhe se ndalimi i saj është shndërruar në një mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj vajzave besimtare.
Sipas Maliqit, Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2014 ka krijuar konfuzion dhe hapur rrugë për interpretime arbitrare, pasi nuk e përkufizon qartë termin “uniformë fetare”.
“Brenda fesë islame, shamia nuk është uniformë apo simbol, por normë fetare. Zbatimi selektiv i këtij udhëzimi ka prodhuar diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë,” ka shkruar Maliqi.







