Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha se ka konfirmuar që një ushtar i Koresë së Veriut, që ka luftuar në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës, është kapur nga forcat ukrainase.
Pheniani ka dislokuar mijëra trupa për të ndihmuar ushtrinë ruse, përfshirë në rajonin kufitar të Kurskut ku Ukraina nisi një ofensivë të befasishme në gusht.
“Përmes ndarjes së informacioneve në kohë reale me një agjenci të inteligjencës të një shteti aleat është konfirmuar se një ushtar i plagosur i Koresë së Veriut është zënë rob”, tha përmes një deklarate më 27 dhjetor Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut.
Ky njoftim i Seulit vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se pothuajse 3.000 ushtarë të Koresë së Veriut janë “vrarë ose plagosur” që kur u janë bashkuar në luftime trupave ruse.
Shërbimi i inteligjencës i Seulit paraprakisht ka thënë se numri i ushtarëve të vrarë apo të plagosur verikorean është 1.000, duke shtuar se ky numër i lartë i viktimave mund të jetë për shkak se ushtarët e Phenianit janë të pafamiljarizuar me fushëbetejën dhe nuk kanë aftësi që të zmbrapsin sulmet me dronë.
Koreja e Veriut dhe Rusia kanë forcuar lidhjet e tyre ushtarake që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, raporton REL.
Në qershor të këtij viti, dy shtetet nënshkruan edhe një pakt për mbrojtje të përbashkët.
Aleatët e Ukrainës e kanë cilësuar përfshirjen e Phenianit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës si “zgjerim të rrezikshëm” të konfliktit.