Serge Gnabry është kthyer në një nga temat më të përfolura brenda kampit bavarez, teksa sulmuesi 30-vjeçar po kalon një sezon mbresëlënës, duke fituar sërish besimin e klubit dhe tifozëve pas një periudhe të vështirë.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po kalon një moment të shkëlqyer, si në Bundesliga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, dhe forma e lartë e shumicës së lojtarëve, përfshirë edhe Gnabryn, ka qenë vendimtare për suksesin aktual.
Pas një vere ku Bayern nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të tij, Gnabry është shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Deri tani, ai ka zhvilluar 15 paraqitje zyrtare, duke shënuar tre gola dhe dhënë pesë asiste. Roli i tij pas Harry Kane është kthyer në një pikë kyçe në mekanizmin ofensiv të kampionëve të Gjermanisë.
Megjithatë, pavarësisht formës së mirë, çështja e kontratës së tij mbetet pezull. Klubi nuk e ka përjashtuar një rinovim të mundshëm, por bisedimet nuk kanë marrë ende një drejtim konkret. I pyetur për të ardhmen, vetë lojtari është shprehur: “Nuk jam aspak i shqetësuar për momentin”, duke lënë të hapur të gjitha skenarët.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjatjen e kontratës brenda muajve të ardhshëm, Gnabry mund të kthehet në një opsion interesant për shumë klube në merkaton e verës, pasi do të hyjë në vitin e parafundit të kontratës së tij me Bayernin. Për momentin, bavarezët po përfitojnë nga forma e tij, por e ardhmja e sulmuesit mbetet ende e paqartë.