Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Për katër ditë, në gjykatore ai është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokatëve mbrojtës dhe trupit gjykues, rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Ai pohoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur kompetencë për ndalimin apo mbajtjen e personave.
Lidhur me ketë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, si dhe mbrojtjes së Kadri Veselit, Rodeny Dixon.
Pjesë nga seanca:
Selimi: Sa i përket zonës, zona i ka pasur kompetencat në zonën operative te Drenicës, kurse sa i përket arrestimit, Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka pasur këtë kompetencë, ose ndalimin e tyre, asnjëherë nuk është mbajtur një takim që këta me u arrestu.
Dixon: A mund të konfirmoj që ju nuk keni pasur asnjë rregullore nga Shtabi i Përgjithshëm apo nga ndonjë burim tjetër lidhur me mënyrën se si te ndaloheshin personat, kush ishte përgjegjës, çfarë roli kishte policia ushtarake, apo i palëve të tjera ne këtë proces, a është e sakte kjo?
Selimi: Po.
Dixon: Pra ju nuk keni pasur asgjë me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, lidhur me ketë teme, a është e saktë kjo?
Selimi: E saktë.
Gjatë dëshmisë, Selimi është ndalur më gjatë te Shtabi i Përgjithshëm duke thënë i njëjti ishte pothuajse inekzistent, “një shtab më shumë politik e logjistik sesa operacional”.
“Termi si shtab i përgjithshëm është term i madh dhe një term në shikim të parë mendova që është një shtab ku shumë njerëz punojnë në atë shtab dhe një objekt që është me plot salla operative, me një shef operativ, me një ekip profesionale, që jep detyra, urdhra, një shtab ku te paktën numri duhet të sillet prej 60 deri 100 më tepër, një kohë kur ne po flasim ose në kohë lufte. Ne po flasim për një shtab pothuajse inekzistent, një shtab më shumë politik ose një pjesë edhe logjistik, sesa një shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm ose me anëtarë të cilët e kanë një adresë ose një shtab që e ka një strukturë, një sallë operative, disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë. Ne fatkeqësisht këtë nuk e kemi pasur, as nuk e kam parë asnjëherë të organizuar në nivel të tillë dhe kjo ka bërë që shumë komandantë të zonave në teren t’i marrin vendimet vet, të shohin situatën vet, të përgjigjen vetë”, tha Selimi.
“Shpesh herë i drejtohemi Shtabit të Përgjithshëm por asnjëherë nuk e ke ditë ku janë anëtarët, për arsye të ndryshme, ose i ke pasur jashtë shteti, edhe atëherë kur jam munduar t’i takojë ka qenë zor dhe lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave kjo ka qenë pengesë dhe është dashur që një komandant zone t’i marrin veprimet vetë dhe të organizojë dhe të udhëzojë ose të marrë pjesë vetë ne luftime dhe të interesohet edhe për ushtarët dhe pjesën civile”, tha Selimi në Gjykatën Speciale”, shtoi ai.
Në fund të dëshmisë së tij, Selimi tha se Adem Jashari ka qenë figura kryesore e UÇK-së.
“Nuk ka marrë urdhra nga shtabi i përgjithshëm por ka dhënë urdhra ose është konsultuar me Shtabin e Përgjithshëm, me njerëz të cilët i ka njohur. Adem Jashari nuk ka mundur të marrë urdhra nga dikush tjetër, Adem Jashari ka qenë komandant kryesor, pa Adem Jasharin nuk mund të kishte UÇK. Adem Jashari ka qenë figura kryesore elmbematike e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm është në bashkëpunim me Ademin dhe gjithë të tjerët, por figura kryesore është Adem Jashari”, tha ai.
Mënyrën e marrjes në pyetje nga ana e trupit gjykues e kritikoi avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, sipas së cilit, pyetjet nuk janë sqaruese dhe të paanshme.
“Këto nuk janë pyetje sqaruese, janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues. Nuk janë pyetje që duhet t’i bëjë trupi gjykues. A keni marrë vendim për mocionin tonë që është pezull, mocioni i nëntorit 2024. Kemi kërkuar të garantohet paanashmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor, duam që kjo të merret parasysh. Sot pyetjet nuk janë të paanshme, këto janë pyetje jo sqaruese”, mbrojtja e Veselit.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues tha se do të vazhdojnë marrjen në pyetje.
Pas intervistimit nga turpi gjykues dhe pyetjeve shtesë nga avokatët mbrojtës, Selimi e përfundoi dëshminë e tij në Hagë.
“Gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara, kam pasur edhe statusin e personit të dyshuar. Me këtë rast, dëshiroj të informoj publikun se të gjitha procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar”, tha Selimi në një deklaratë për media.
Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.
Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.
Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./KosovaPress