Përgatiti: Benita Zeneli
Me polemika si kjo, u përcoll pothuajse e gjithë seanca e jashtëzakonshme, e para për sesionin pranveror.
I gjithë diskutimi ishte fokusuar në një pikë të rendit të ditës: Rritja e çmimit të Energjisë elektrike.
Në këtë seancë, PDK-ja kishte edhe një propozim rezolutë, e cila përmbante 5 pika, ndër të cilat u kërkua ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqja e bllok-tarifës.
Por, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bllok-tarifa ishte shtyrë para në vitin 2017 nga PDK-ja e LDK-ja.
Ndërkohë derisa, Rizvanolli tha se Kosova e ka çmimin më të ulët në rajon, reagim kishte nga ana e opozitës. Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.
E sipas kryetarit të PDK-së, 100 eurot që u ndanë nga Qeveria, qytetarëve ua mori menjëherë nëpërmjet faturave të larta.
Për fatura e fryra foli edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, ekzistojnë dyshimet për faturim të pasaktë të energjisë elektrike.
Pas debatit rreth pesë-orësh, nuk pati deputetë të mjaftueshëm në sallën plenare për ta hedhur në votim rezolutën e PDK-së, ku kërkohej ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqja e bllok-tarifës.
Andaj, në mungesë të kuorumit ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës.