Në fjalimin e tij tradicional në prag të Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje rolin e rëndësishëm të të huajve për ekonominë gjermane.
“Ne jemi 84 milionë – vetëm një për qind e popullsisë botërore! Dhe megjithatë, ne jemi fuqia e tretë më e madhe ekonomike në botë. Sepse jemi të zellshëm,” tha politikani socialdemokrat në fjalimin e regjistruar, teksa fliste për sfidat ekonomike që e presin Gjermaninë në vitin 2025: “Në mesin tonë janë edhe shumë të huaj që ndihmojnë dhe janë pjesë e historisë së suksesit të Gjermanisë. Nuk duhet të lejojmë që askush të na ndajë!”, shtoi ai, shkruan DW.
Scholz bëri thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen më 23 shkurt 2025. “Se si do të vazhdojë Gjermania, këtë e vendosni ju – qytetaret dhe qytetarët,” tha Scholz.
“Jo ata që zotërojnë mediat sociale,” shtoi ai, pa përmendur me emër pronarin e platformës X, Elon Musk. Miliarderi amerikan së fundmi kishte mbështetur partinë AfD në një opinion të botuar nga gazeta gjermane Die Welt, gjë që kishte shkaktuar kritika.
Në fjalimin e tij, Scholz vuri theksin edhe te sfidat e Gjermanisë, duke përmendur ekonominë, inflacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Kancelari tha se të gjitha këto sfida mund të kalohen duke qëndruar së bashku
“Me respekt ndaj njëri-tjetrit, me besim dhe me angazhim për njëri-tjetrin, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha bashkërisht.”