Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, ka bërë të ditur se Presidentja Vjosa Osmani ka qenë e ftuar në Forumin e Paqes në Paris, mirëpo ka vendosur ta anulojë pjesëmarrjen për shkak të angazhimeve të saj në Arabinë Saudite, ku u ndërmjetësua njohja e Kosovës nga Siria.
Nëpërmjet një postimi, Sadriu ka falënderuar Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Zonjën e Parë, Brigitte Macron, për ftesën në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke theksuar se vendimi i Osmanit ishte i diktuar nga prioritetet strategjike të shtetit.
“Falënderim i veçantë për Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Zonjen e Parë, Brigitte Macron për ftesën në Paris Peace Forum dhe për darkën tradicionale në Pallatin Elysee – një dëshmi e respektit dhe partneritetit të veçantë. Për shkak të agjendës së jashtëzakonshme në Riad të Arabisë Saudite, e cila rezultoi me njohjen nga Siria, Presidentja me keqardhje ka anuluar vizitën në Paris, duke prioritizuar takimet strategjike që do të fuqizojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës,” ka shkruar Sadriu.
Ndërkohë, në Forumin e Paqes në Paris, Kosovën e përfaqësoi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili bashkë me bashkëshorten e tij morën pjesë në darkën solemne të edicionit të 8-të të Forumit, si mysafirë të Presidentit Macron.


 
                                     
    




