Shumë njerëz vizitojnë mjekun vetëm kur ndihen keq, por ekspertët theksojnë se edhe personat e shëndetshëm duhet të bëjnë kontrolle periodike.
Një vizitë në vit është e domosdoshme për çdo të rritur, ndërsa ata me sëmundje të trashëguara këshillohet të kontrollohen dy herë në vit. Vizitat e rregullta mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, si tensioni i lartë apo problemet kardiovaskulare, që shpesh kalojnë pa simptoma.
Studimet tregojnë se një e treta e personave që kanë pësuar atak kardiak nuk kanë pasur shenja paralajmëruese.
Gjithashtu, rreth 46% e sëmundjeve janë të trashëgueshme, ndaj zbulimi i tyre në fazat e para mund të bëjë diferencën në trajtim.
Për t’u përgatitur për një vizitë mjekësore, ekspertët sugjerojnë që pacientët të përgatisin një listë me pyetjet dhe shqetësimet e tyre, të mos ngurrojnë të pyesin mjekun për çdo gjë që nuk kuptojnë, të diskutojnë rezultatet e analizave dhe të mbajnë një ditar shëndeti ku shënojnë rezultatet e analizave, konsultat dhe alergjitë. Një rutinë e tillë ndihmon jo vetëm mjekun për të pasur informacion të plotë, por edhe pacientin të jetë më i vetëdijshëm për shëndetin e tij.
Kontrolli i rregullt nuk është luks, por mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin dhe për të parandaluar komplikimet serioze në të ardhmen.







