PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Arlinda Ahmeti, në fillim të këtij viti ishte goditur nga një automjet në lëvizje, derisa po kalonte në anën tjetër të rrugës për në shkollë.
Rruga për në shkollën fillore “Arif Shala” në Korroticë të Poshtme të Komunës së Drenasit, ku ajo merr mësime, është mjaft e rrezikshme.
“M’ka ndodhë mua rasti, para 4 muajve, që m’ka goditë makina, andaj kisha bërë lutje për një semafor, që me pas mundësi me kalu rrugën sigurt”.
Të shqetësuar për fëmijët e tyre prindërit duhet t’i shoqërojnë vazhdimisht ata për në shkollë.
“Fëmijët asnjëherë si lë vetë, gjithqysh duhet me pasë përcjellje”.
Nevojën për semafor apo nënkalim e shohin të domosdoshme për evitimin e rrezikut edhe mësimdhënësit dhe drejtori i shkollës.
“Ka pasur raste para dy muajve që një nxënëse, veçse ka pasë aksident nga një automjet, i cili ka lëvizur me shpejtësi të madhe. Ka nevojë të merret diçka, ndonjë semafor, ndonjë mbikalim, nënkalim ose diçka tjetër”.
“Përgjigjja e infrastrukturës është se kjo rrugë është në fazat e zgjerimit dhe pa përfundu rruga nuk ka mundësi të punohet me ndonjë projekt për kalimin e këtij rreziku”.
Për këtë problem është në dijeni edhe Ministria e Infrastrukturës, por buxheti për sanimin e këtij problemi nuk është i mjaftueshëm.
“Nuk ka një masë deri të bëhet rregullimi i rrugës me 4 korsi. Ka ndarë buxhet Qeveria e RKS-së për këtë rrugë, mirëpo shuma është shumë e vogël. Shpresoj që me rishikim të buxhetit, nëse ka nga ana e Ministrisë, me bo diçka mu kry ky projekt që ka mbetë në gjysmë.”
Ndryshe, ky projekt pritet të fillojë këtë vit, ndërsa nuk dihet saktësisht kur do të zgjidhet problemi për banorët dhe nxënësit e shkollës.