Aktivisti i njohur Rron Gjinovci ka reaguar pas komenteve që e kanë cilësuar rritjen e pagave, pensioneve dhe shtesave nga Qeveria si “blerje votash”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjinovci ka kundërshtuar këtë narrativë, duke e quajtur “shkurtpamësi dhe mungesë logjike”.
“Rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave nuk është blerje votash. Me e cilësu si të tillë është shkurtpamësi dhe mungesë logjike”, ka shkruar ai.
Në argumentimin e tij, Gjinovci thekson se “blerja” nënkupton një marrëveshje mes dy palëve, ku njëra jep para dhe tjetra ofron diçka në këmbim, gjë që sipas tij nuk ekziston në këtë rast.
“Qeveria ndan para, por qytetarët nuk kanë asnjë detyrim që t’i japin diçka në këmbim. Këto rritje i përfitojnë të gjithë, pa dallim bindjesh politike”, ka sqaruar aktivisti.
Sipas tij, edhe konceptualisht nuk qëndron ideja e “blerjes së votave”, pasi mjetet që ndahen janë nga taksat e vetë qytetarëve.
“Këto para nuk janë të qeverisë, por të atyre që i marrin. Në fakt, qeveria po i shpërndan fondet që i ka mbledhur nga vetë qytetarët”, ka shtuar ai.
Në përfundim, Gjinovci ironizon me ata që e shohin rritjen e pagave si strategji elektorale, duke u thënë se nëse “oferta e tyre politike sfidohet kaq lehtë, atëherë duhet ta rishikojnë programin”.
“Nëse qytetarët blehen kaq lehtë, atëherë problemi nuk është te qeveria, por te oferta jote si opozitë. Rishikoje programin,” ka përfunduar ai.


 
                                     
    




