Përgatiti: Sara Shehu
Katër raste me ethet e Nilit Perëndimor janë regjistruar në Kosovë.
Personat e infektuar me këtë sëmundje që transmetohet nga mushkonjat, janë nga Fushë-Kosova, Prizreni e Lipjani.
Rastet fillimisht janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore, ata janë liruar për shtëpi.
Ndërkaq, derisa rastet me Ethet e Nilit Perëndimor janë rritur, ato të COVID-19, janë ulur.
Në Klinikën Infektive vetëm një pacient me koronavirus po trajtohet, nga 13 sa ishin më 20 gusht.
Sipas drejtorit Arben Vishaj, pacienti është në mjekim intensiv, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, pavarësisht insistimit të televizionit, IKSHPK-ja, në një përgjigje me shkrim, tregon vetëm për numrin e rasteve pozitive në periudhën 7 deri më 20 gusht.
Sipas këtij institucioni, në këtë periudhë janë regjistruar 661 raste pozitive dhe tri viktima.
“Nga 661 rastet e raportuara gjatë kësaj periudhe kohore, sipas grup-moshave rezulton se grup-mosha më e prekur janë: 50-59 vjeç me 119 raste dhe grup-mosha 20-29 vjeç me 116 raste, me moshë mesatare prej 49.3 vjeç. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe muajit paraprak, nga fillimi i muajit gusht 2024, vërehet ngritje e numrit të rasteve të raportuara me COVID-19, veçanërisht në javën e fundit me mesatare 54 raste pozitive të raportuara në baza ditore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Megjithatë, pas kësaj date, IKSHPK-ja thotë se ka raste të reja pozitive, por nuk tregoi as për testimet, e as për rastet pozitive.
Mospublikimi i të dhënave, sipas infektologut Shemsedin Dreshaj, nuk është vendim i duhur. Ai thotë se qytetarët duhet të jenë të informuar për këtë situatë.
“Numri i rasteve është rritur me ethet e Nilit, situata me këto dy sëmundje, edhe me Covid-19, duhet të merret seriozisht, të mbrohen qytetarët më shumë, të praktikojnë masat që ofron IKSHPK-ja. Megjithatë, të dhënat duhet të përditësohen më shpesh në mënyrë që populli të jenë në dijeni për rastet dhe situatën nëse është alarmante në mënyrë që të rritet më shumë kujdesi”, tha Dreshaj.
Më tej, ai tha se ka mundësi të rritet numri i sëmundjeve infektive.
“Numri i sëmundjeve infektive ka gjasa të rritet e të ketë më shumë pandemi për shkak se po jetojmë në epokën e globalizmit, ka më shumë qarkullim, udhëtime”, tha Dreshaj .
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel për kujdes të shtuar dhe në rast të shfaqjes së simptomave të konsultohen me mjekët.