46.3 milionë euro është shuma të cilën komunat e Kosovës kanë borxh për vendimet gjyqësore dhe përmbarimore.
Prej tyre, Komuna e Prishtinës vetëm gjatë vitit 2022, ka grumbulluar rreth 6 milionë euro borxh për përmbaruesit. Sipas të parit të kësaj komune, fajin për borxhet e kanë udhëheqjet e shkuara.
“Të gjitha borxhet e qeverive të kaluara kanë ndikim jo të mirë, por edhe të gjitha ato borxhe i kemi marrë parasysh në planifikim e buxhetit tonë si kontingjenti , si pikë kontingjente që duhet të paguhen në të ardhmen e afërt por në planifikim tonë nuk i kemi lënë të kenë impakt negativ në planifikimin e buxhetit tonë për projektet e radhës”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Hiç më mirë nuk qëndron as Komuna e Ferizajt. Kjo komunë ka rreth 5 milionë euro borxh.
Arsyeje për grumbullimin e këtyre borxheve, sipas Qëndrim Arifit, njohës të qeverisjes lokale, është fakti që komunat marrin më shumë projekte se që kanë buxhet.
“Në të gjitha rastet kemi të bëjë me keq menaxhim, sot komunat iniciojnë projekte pa pasur mbulueshmëri financiare të duhur dhe hasin vështirësi për pagesa ndaj operatorëve ekonomik dhe kështu që ka pak operator të mirë që presin një komunë ti kryej obligimet financiare, por zgjedhin rrugën më të shpejt që prej përmbarimit privat të vijë te financat që thjesht janë detyrim ndaj tyre”, tha Arifi.
Rrjedhimisht sipas tij kur detyrimet financiare janë më të larta se të hyrat e komunës ndodh bllokimi.
“Hiç shumë kohë, komuna e Gjilanit është bllokuar për shkak të borxhit të madh te përmbaruesit”, tha Arifi.
Edhe komuna e Mitrovicës, Prizrenit e Suharekës kanë borxhe milionëshe tek përmbaruesit. Ndërkaq komuna me më së paku borxh është ajo e Istogut, vetëm 1 milion euro. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: