Përgatiti: Krenare Mulliqi
Pa asnjë problem pagesën po e bën me dinarë.
Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut nuk e përfillën rregulloren e BQK-së, edhe pse ajo hyri në fuqi të enjten.
Qytetarët e pronarë të bizneseve në Veri të vendit, thanë se mospërdorimi i dinarit është i pamundur, të paktën edhe për një periudhë kohore.
Edhe pse Qeveria tha se në vend të gjobave do të ketë fushatë informuese në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, në terren një gjë e tillë nuk u pa!
Për mosshtyrjen e zbatueshmërisë së vendimit, ka folur përsëri ambasadori Amerikan në Kosovë. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Jeffrey Hovenier tha se vendimi mund të sjellë tensione të reja në veri.
“Serbët do të ndihen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne mendojmë që kjo çështje meriton më shumë konsideratë dhe gjithashtu diskutime në tavolinën e dialogut. Shqetësimet tona janë që mund të ketë tensione etnike”, tha Hovenier.
Të shqetësuar me pasojat që mund të ketë pas vendimit të BQK-së, janë shprehur edhe nga Bashkimi Evropian. Ata kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje që rregullorja e re të mos ua ndërlikojë jetën e qytetarëve të komunitetit serb.