Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo Nazário, ka komentuar së fundmi deklaratat e Cristiano Ronaldos, i cili kohët e fundit kishte thënë se e konsideron veten si “më të mirin në histori”.
Në një intervistë për mediat spanjolle, “Fenomeni” u përgjigj me qetësi, por me qëndrimin e tij të qartë:
“Cristiano duke thënë se është më i miri në histori? Disa njerëz kanë shumë vetëbesim,” – tha Ronaldo me një buzëqeshje ironike.
Më tej ai shtoi:
“Unë preferoj që të tjerët të flasin për mua, jo unë për veten time. Ai është padyshim një nga lojtarët më të mirë në histori, por a është më i miri? Nuk jam dakord. Megjithatë, e respektoj mendimin e tij. Do ta vendosja në mesin e dhjetë më të mirëve të të gjitha kohërave.”
Këto fjalë kanë ndezur debat të madh në rrjetet sociale, ku tifozët ndahen mes dy ikonave të futbollit botëror.
Ronaldo Nazário, dy herë fitues i Topit të Artë dhe kampion bote me Brazilin, ka qenë gjithmonë i vlerësuar për qëndrimet e tij të thjeshta dhe realiste — dhe duket se edhe këtë herë ka zgjedhur të flasë me klas, por me sinqeritet.







