Përgatiti: Benita Zeneli
15 vjetët e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtete të ndryshme u shënuan nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës me ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Kjo tryezë diskutimi ishte e para e këtij lloji që nga themelimi i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës, në prill të këtij viti.
Derisa marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë i quajti unike, ambasadori Jorn Rhode tha se vendin megjithatë e pret rrugë e gjatë drejt anëtarësimit në BE.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Si do të arrijnë aty? Përmes detyrave të përbashkëta të shtëpisë. Ne dhe gjashtë vendet duhet t’i bëjmë detyrat tona”, tha Rhode.
Pengesë në këtë rrugë është edhe mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, por për të ndryshuar qëndrimin e tyre kusht është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
“Duhet të tregoni se jeni të interesuar për normalizim sepse ky është çelësi për të bindur jo vetëm ne, por edhe pesë shtetet anëtare jonjohëse, të Bashkimit Evropian. Mos jeni të fiksuar te pala tjetër, sepse nëse ata nuk bëjnë asgjë, ju nuk duhet të bëni asgjë”, tha ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.
Megjithatë, që nga hapja e ambasadës në Uashington, Kosova, megjithatë, ruajti raportet e mira me SHBA-në, tha i pari ambasador i Kosovës në kryeqytetin amerikan.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën, në pjesën më të madhe secila qeveri e Kosovës ka qenë e mirë në marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara…”, tha ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu.
Në mesin e shumë arritjeve të Kosovës, gjatë kësaj tryeze u përmend edhe liberalizimi i vizave që për kosovarët fillon nga 1 janari 2024.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: