Sonte rikthehet spektakli më i madh i futbollit evropian, Liga e Kampionëve, me një mbrëmje të mbushur plot emocione dhe përballje vendimtare. Nëntë ndeshje janë në program për t’u zhvilluar në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës, një fazë ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes kualifikimit, “play-off”-it apo eliminimit të hershëm.
Pas një pauze mbi njëmujore, rikthimi i Champions League pritet me interes të madh, pasi shumë skuadra janë në garë të drejtpërdrejtë për një vend në tetëshen e parë, e cila siguron kualifikim direkt në fazën tjetër.
Vëmendja kryesore e mbrëmjes është e përqendruar te përballja mes Interit dhe Arsenalit, që do të luhet në stadiumin legjendar “Giuseppe Meazza” nga ora 21:00. Kampionët e Italisë kërkojnë patjetër fitore për të mbetur në zonën elitare, ndërsa londinezët vijnë me moral të lartë dhe mund të sigurojnë kualifikimin edhe me një barazim, pas një serie perfekte prej gjashtë fitoresh në gjashtë ndeshje.
Në ndeshjet e tjera, Real Madridi synon të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt tetëshes duke kërkuar tre pikë të plota ndaj Monacos, ndërsa Manchester City përballet me një udhëtim të vështirë në Norvegji kundër Bodo/Glimt. Një tjetër sfidë e fortë e pret edhe Paris Saint-Germainin, që luan në transfertë ndaj Sporting Lisbonës.
Një duel me shumë peshë është edhe ai mes Tottenhamit dhe Borussia Dortmundit, ku të dyja skuadrat janë të detyruara të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim direkt. Ndërkohë, Napoli ndodhet nën presion maksimal në udhëtimin ndaj Copenhagen, pasi çdo hap fals mund ta lërë jashtë fazës së “play-off”-it.
Programi i mbrëmjes plotësohet me tri përballje të tjera interesante: Bayer Leverkusen udhëton drejt Greqisë për t’u përballur me Olympiacosin, Kairat Almaty pret në shtëpi Club Brugge, ndërsa Villarreal përballet me Ajaxin në një duel klasik evropian.
Një mbrëmje që premton futboll të nivelit të lartë, emocione të forta dhe rezultate që mund të përcaktojnë fatin e shumë skuadrave në Ligën e Kampionëve.






