Ka dështuar mbledhja e sotme e KQZ-së për shkak të mungesës së kuorumit. Në mbledhje munguan anëtarët nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Në rend të ditës për shqyrtim mes tjerash ishte njoftimi për afatin e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.
Kjo pikë sipas anëtarit të KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi ishte arsyeja e mungesës së këtyre anëtarëve në mbledhjen e sotme.
Sipas tij, opozitarët janë kundër shtyrjes deri më 29 dhjetor të afatit për regjistrim të mërgatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Duke argumentuar nevojën e shtyrjes së afatit, ai tha se deri tani mbi 92 mijë qytetarë nga mërgata mund të konsiderohen votues jashtë vendit, ndërsa trendi është në rritje, andaj kërkoi të gjenden forma të tjera për shtyrjen e afatit.
“Sot është çështja krejt tjetër, ka të bëjë me një rekomandim që sekretariati ka sjell mbi mundësitë e shtyrjes së afatit për aplikim për regjistrim të mërgatës, i cili përfundon sot në ora 00:00. Duke parë trendin, i cili është në rritje i aplikimeve dhe me qëllim të mundësimit të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit që të aplikojnë është shqyrtuar mundësia e shtyrjes së këtij afati. Sekretariati ka ardhur me një raport dhe ai në tërësi e jep rekomandimin që ky afat mund të shtyhet edhe pse prek disa aspekte organizative. Mendoj se mungesa e kolegëve këtu, PDK, LDK dhe AAK lidhet me këtë çështje. Ata edhe më herët e kanë shfaqur kundërshtimin e tyre për çfarëdo lloj shtyrje të afateve apo veprimeve që KQZ-ja do t’i merrte për përfshirjen e mërgatës në zgjedhje…Ata nuk janë të gatshëm që të vijnë dhe KQZ-ja të merr vendim. Mungesa e tyre është përpjekje për të pamundësuar shtyrjen e afatit”, tha ai.
Por kjo u refuzua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili në mungesë të kuorumit u largua nga salla e mbledhjeve.
Paraprakisht, ai tha se mungesa e anëtarëve nga opozita nuk lidhet me vendimin e PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe. Sipas tij, pasi ai vendim të bëhet i plotfuqishëm dhe të kalojnë afatet kohore të ankesave KQZ-ja do të ketë vendimmarrje.
“Mund të konstatoj se nuk kemi kuorum për të mbajtur këtë mbledhje. Tre nga anëtarët e KQZ-së kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje për shkak të disa obligimeve të tjera, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë dhënë ndonjë njoftim… Lidhur me vendimin e PZAP-it, duhet të kalojë afati për ankesë dhe prapë do ta trajtojmë në KQZ sapo të bëhet i plotfuqishëm ai vendim…10:36 Në mungesë të kuorumit, takimi nuk mbahet dhe unë me kaq po e përfundoj”, theksoi ai.
Anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa, (PZAP) për certifikimin e Listës Serbe, duke thënë se një gjë e tillë është gabim, pasi dëshmitë tregojnë se kjo parti është strofull e terrorizmit shovinist serb në Kosovë.
“Janë disa aspekte formale që i ka trajtuar PZAP sipas parimit në letër gjithçka në rregull. Ne e kemi shumë dëshmi dhe fakte për involvimin e Listës Serbe dhe të anëtarëve të saj në veprimet të dhunshme terroriste kundër Republikës së Kosovës, policisë, institucioneve, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe vetë kundër KQZ-së. Zyrat e KQZ-së, ne i kemi pasur katër bashkëpunëtorë, ata kanë dhënë dorëheqje me kërkesë dhe urdhër të Listës Serbe, i kanë mbyllur zyrat dhe kanë shkatërruar dokumentet dhe kanë vendosur eksploziv në zyre. Këtë e kanë bërë me urdhër të Listës Serbe. Nënkryetari i atëhershëm të Listës Serbe, Radoiçiq e ka udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar. Ai sot është i lirë. Ne nuk kemi deri sot asnjë rast të vetëm kur ky subjekt politik ka dënuar sulmet e dhunshme terroriste në Kosovë. Atë trashëgimi e bart pa e prekur edhe sot. Prandaj ne konsiderojmë se Lista Serbe është strofull i terrorizmit shovinist serb në Kosovë”, deklaroi Kurteshi.
PZAP dje ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, e cila kishte vendosur që këtë parti të mos e certifikonte për zgjedhjet e 9 shkurtit./KP