Gjendja në sistemin elektroenergjetik të Kosovës është stabilizuar pas rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike, ka njoftuar KOSTT.
Sipas njoftimit, normalizimi erdhi pas zbatimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji.
“KOSTT njofton opinionin publik se gjendja në sistemin elektroenergjetik është normalizuar dhe stabilizuar, pas implementimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyçe që ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit si dhe integritetin e sistemit”, thuhet në njoftim.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rritur prodhimin vendor, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit dhe stabilitetin e sistemit.
KOSTT u ka bërë thirrje palëve të tregut të respektojnë rregulloret operative, duke theksuar se do të mbetet në gatishmëri për të ruajtur performancën e sistemit elektroenergjetik.
“Kërkohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në treg të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit elektroenergjetik.
KOSTT do të mbetet në gjendje gatishmërie operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative”, thuhet në njoftim.






