Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama mbajti tubimin përmbyllës të fushatës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, ku ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Rama prezantoi vizionin e tij për projekte të mëdha infrastrukturore, kulturore dhe zhvillimore që synojnë ta bëjnë Prishtinën një qytet modern dhe të njohur ndërkombëtarisht
Në Fushë Kosovë, kandidati i LDK-së, Besnik Osmani, ka prezantuar projektet kryesore që synojnë përmirësimin e infrastrukturës në komunë, përfshirë ndërtimin e një rrethrrotullimi.
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon një mandat të ri, rikujtoi se çdo premtim i tij është kthyer në vepra konkrete gjatë mandatit të parë. “Fituam për tre mandate dhe do të fitojmë edhe më 9 nëntor, sepse asnjëherë nuk e tradhtuam besimin tuaj”, tha Gashi.
Gazmend Muhaxheri kryetar aktual i Pejës ka rikujtuar punët e realizuara gjatë mandatit të tij në këtë komunë si dhe punët që po bëhen në infrastrukturë.
Në Viti, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Sokol Haliti, po intensifikon fushatën me tubime në të gjitha pjesët e komunës. Shtabet zgjedhore në Germovë, Goshicë dhe Ramjan janë të mobilizuara dhe të përgatitura për të siguruar fitoren më 9 nëntor tha Haliti.
Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka ngritur një padi ndaj Agron Kuçit dhe AAK-së për deklarata shpifëse. Ai ka siguruar angazhim të shtuar të policisë dhe monitorim 24/7 për zgjedhjet e 9 nëntorit, duke ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të dalin për të votuar në mënyrë të sigurt.







