Punimet në urën e re që po ndërtohet në Mitrovicë janë dëmtuar rëndë pas përmbytjeve të fundit, të cilat ndodhën pasi u lëshua diga e liqenit të Ujmanit.
Sipas kompanisë që po e realizon projektin, puna ka rifilluar menjëherë pas rënies së nivelit të ujit.
Pronari i kompanisë, Jahir Nimani, tha për KosovaPress se asnjë përfaqësues institucional përveç nënkryetarit të komunës Arian Tahiri nuk ka vizituar vendin e ngjarjes.
“Nuk ka qenë kërkush deri më sot akoma, përveç nënkryetarit të komunës Arian Tahiri. As kryetari Bedri Hamza nuk ka qenë ende. Askush, as nga qeveria, as nga ndonjë institucion tjetër, përveç Arian Tahirit që ka qenë me më vizitu, asnjë institucion tjetër nuk ka ardhur”, tha Nimani.
Sipas tij, dëmet ndodhën ditën kur u lëshua diga e Ujmanit, ndërsa punimet kanë rinisur të nesërmen, sapo është ulur niveli i ujit.
“Punimet kanë filluar atë ditë kur ka ndodhur vërshimi i madh i ujit, kur është lëshuar diga e liqenit të Ujmanit. Fillimisht, të nesërmen – pas rënies së nivelit të ujit kemi filluar me punua”, thekson Nimani.
Ai shton se materiali i ri ndërtimor kap vlerën rreth 60 mijë euro dhe është siguruar nga kompani vendore.
“Materiali që e kemi porositur tani për momentin është rreth 60 mijë euro, për me kry këtë punë – rasa, shtylla, trarë, këto panelet. I kemi marrë nga disa kompani furnizuese në Kosovë. Gjithmonë kemi porositur material dhe nesër fillon me ardh materiali”, ka thënë Nimani.
Në një mesazh motivues, Nimani thekson se nuk ka ndërmend të dorëzohet:
“Më kanë thirrur edhe më kanë mbështetur moralisht në këtë punë. Nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi e as të ligështojmë, sepse unë jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ne ushtarët njëherë kemi dhënë fjalën e betimin – nuk dorëzohemi. Çdo fjalë e dhënë nga unë do të bëhet realitet me ndihmën e Zotit, nëse më mundëson se çfarë do të flas që ta mbaj fjalën, dhe unë kam thënë që më 1 janar gjithçka do të jetë përfunduar”,tha Jahir Nimani.
Sipas tij, Policia dhe Prokuroria janë duke u marrë me rastin.
“Janë organet kompetent është Policia dhe Prokuroria. Për këtë kemi bërë luftë që me pas shtet, pavarësisht çka do që ndodh. Ndoshta njeriu ndonjëherë mundet me u ngut kur e sheh në atë gjendje mallin e vet. Nuk kam diçka për momentin, është duke u marrë policia me rastin, do të shohim tutje. Ata kanë me dhënë vlerësimin e situatës se pse ka ndodhur. Unë vetëm çka më mbetet është me punua dhe me vazhdua rrugëtimin tim, me e përfundua projektin që kam nisur”, ka përfunduar ai.
Punimet për urën e re pritet të vazhdojnë me intensitet të plotë, sapo të mbërrijë materiali i ri ndërtimor.







