Përparim Rama ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj një mërgimtari, pas një komenti të këtij të fundit në rrjetin social të kryetarit të Komunës së Prishtinës.
Edmond Rexhaj, një qytetar me vendbanim në Morges të Zvicrës kishte hedhur dyshime mbi menaxhimin e mjeteve të ndara nga Ministria e Financave për ndërprerjen e grevës së transportuesve publik në kryeqytet.
“Sa i nale për veti? A jon boll?”, thuhej në një koment të Rexhajt në postimin ku Rama kishte njoftuar se Ministria kishte alokuar mjetet buxhetore.
Kaq kishte mjaftuar për kryetarin Rama që të njoftonte se kishte nisur përgatitjet për padi ndaj mërgimtarit Rexhaj.
“Mirëmengjesi juve në Morges. Padia për ty sapo filloi me u përgatit. Shihemi në gjykatë Edmond Rexhaj!”, thuhet në komentin e Ramës.
Ministria e Financave kishte ndarë 2.7 milionë euro mbrëmë me qëllim të ndërprejes së grevës së transportuesve publik në Prishtinë.
Për nëntë ditë me radhë, Trafiku Urban dhe kompanitë private transportuese me autobusë kishin hyrë në grevë për shkak të borxheve duke shkaktuar kaos në kryeqytet.








