Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, foli të mërkurën në konferencën për shtyp para përballjes së rëndësishme kundër Omonias, duke theksuar se ka përfituar shumë nga mënyra e lojës së Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Ai vlerësoi veçanërisht punën e përzgjedhësit Franco Foda, duke e cilësuar si shembull pozitiv për mënyrën se si një skuadër mund të organizohet përballë kundërshtarëve të fortë. Ramadani theksoi se, në rast fitoreje ndaj Omonias, një pjesë e meritës do t’i takonte edhe Fodas.
“Niveli i futbollit në Qipro është pak më i lartë se ai në kampionatin tonë. Kemi analizuar disa ndeshje të tyre dhe është e qartë se luhet me intensitet të lartë, me tifozë të zjarrtë dhe ritëm që ne e përjetojmë vetëm në ndeshjet evropiane,” deklaroi ai.
Ai shtoi se ka ndjekur me kujdes tre ndeshjet e fundit të Kosovës, duke nxjerrë mësime të rëndësishme si trajner.
“Kam parë dhe analizuar ndeshjet jo për debate televizive, por për t’u pasuruar profesionalisht. Nëse arrijmë sukses kundër Omonias, Franco Foda padyshim ka pjesën e tij të meritës,” u shpreh trajneri shkupjan.
Ndeshja mes Dritës dhe Omonias zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 18:45, në kuadër të raundit të dytë të Ligës së Konferencës. /ATVLIVE.TV