Mbrëmë u zhvillua një debat mes analistit politik Sadri Ramabaja dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda. Debati u ndez pasi Ramabaja i drejtoi Grudës një pyetje provokuese, duke kërkuar të dijë se “ku ka punuar gjyshi i tij”.
Pas debatit, sot Ramabaja ka kërkuar falje publike ndaj deputetit Gruda. Në një deklaratë të gjatë, ai theksoi se kërkimi i faljes nuk është akt nënshtrimi, por shprehje e lirisë morale dhe njohje e gabimit, duke iu referuar filozofisë perëndimore dhe mendimeve të Immanuel Kantit.
Ramabaja gjithashtu kujtoi përvojat e tij personale si viktimë politike pas çlirimit të Kosovës, duke shpjeguar se mbrëmë kishte shkuar përtej natyrës së tij dhe kishte interpretuar gabimisht disa fakte, duke cenuar dinjitetin e Grudës. Ai shtoi se kërkimfalja është një akt që tejkalon dimensionin personal dhe kontribuon për pajtimin dhe kujtesën kolektive.
“Filozofja Hannah Arendt e quante kërkimfaljen një ‘akt të rivendosjes së botës’, sepse përmes saj njeriu ndalon ciklin e pafund të dhunës e hakmarrjes dhe hap mundësinë për një fillim të ri”, përfundoi Ramabaja.







