Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendje të madhe, duke njoftuar se deri në vitin 2027 prokurimet publike në vend do të kryhen përmes Inteligjencës Artificiale.
Gjatë pjesëmarrjes online në “Euronews EU Enlargement Summit”, një platformë dialogu mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama theksoi se ky sistem do të garantojë shpejtësi, transparencë dhe saktësi në nivele të papara më parë.
“Kur bëhet fjala për Diellën, është produkt i një lufte sistemore, që nuk ka të bëjë në luftën kundër rasteve apo luftën në gjykata, por me luftën për modernizmin, dhe brenda 2027-ës synojmë të kemi sistemin e plotë bazuar në Inteligjencën Artificiale të prokurimeve publike që do të lejojë shpejtësi, transparencë e saktësi në nivele të papara më parë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për rolin që Inteligjenca Artificiale po luan në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Jam e sigurt që keni dëgjuar se Diella është ‘shtatzënë’, me 83 foshnja, kësisoj na duhet të presim që të ‘lindë’ këta 83 bebe. Dhe ndërkohë dua të them diçka, që jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur Inteligjencën Artificiale në transferimin e Acquis communautaire në korpusin tonë ligjor, duke e bërë procesin më të shpejtë ndonjëherë, jo vetëm sa i takon përkthimit, por edhe analizimit të ndikimit e hartimit e përgatitjes së gjithë paketave ligjore për t’u miratuar në parlament. Po përpiqemi të hedhim hapa të mëdhenj duke përdorur Inteligjencën Artificiale”, shtoi Rama.







