Rama në Bruksel, priten takime me drejtuesit e BE-së dhe NATO-s

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim.
Në kuadër të Samitit, Rama do të bisedojë me gazetarë për ecurinë e Shqipërisë në këtë proces ku paralelisht vijon puna dhe takimet teknike për mbylljen e grupkapitujve të radhës, si dhe do të zhvillojë takime me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Reklamë
Më 13 tetor të këtij viti, Shqipëria mbylli kapitullin 20, që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe politikat industriale, bisedimet për të cilat u hapën zyrtarisht më 22 maj të 2025, raporton Tv Klan.
Në fokus është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar nga inovacioni.
Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapitujt e tjerë, si pjesë e grupkapitullit të 3-të, që përfshin fusha si transformimi dixhital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.
Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Vendi konsiderohet i njësuar me standardet europiane në kapitullin 25 “Kërkimi shkencor”, kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.
Objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e të gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi i plotë në familjen europiane të ndodhë brenda 2030.
Reklamë








