Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh qartë në Forumin e Paqes në Paris se Kosova është një shtet në të drejtën e vet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Rama nënvizoi se është thelbësore që të gjithë të punojnë për të siguruar lirinë e lëvizjes për qytetarët.
“Ne besojmë fuqishëm se paqja është më e vlefshme se gjithçka tjetër. Sa më i lumtur të jetë komshiu, aq më i lumtur është edhe shtëpia jonë. Pra, nuk duhet të mendojmë vetëm për veten, por edhe për fqinjin. Duhet të gëzojmë jetën tonë, por edhe të sigurohemi që fqinji të mos vdesë urie”, tha Rama.
Ai gjithashtu foli për marrëdhëniet me Serbinë: “Me Serbinë kemi një problem të madh që është Kosova. Për ne, Kosova është një shtet, po ashtu për shumicën e vendeve të BE-së, por jo për Serbinë. Ky është një problem i madh, dhe mund të zgjidhej ose me tensione që do të dëmtonin ekonominë dhe të ardhmen tonë, ose duke punuar që qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes, kjo është rruga që ne zgjedhim”, shtoi ai.
Rama vuri në pah se bashkëpunimi rajonal mbetet rruga e vetme për vendet që synojnë anëtarësimin në BE. Ai paralajmëroi për sfidat që sjell “ballkanizimi i Europës”, por theksoi se vendet e rajonit duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë, duke përmbyllur me një mesazh shpresëdhënës.
“Në fund të fundit, kur bota të shpërthejë, Shqipëria nuk do të ketë faj. Kur të shkojmë tek Shën Pjetri, do të na jepet vendi ynë në parajsë”, përfundoi Rama.







