​Rama kërkoi tjetër format të takimit në Gjakovë, jep detaje në konferencë për media

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka kërkuar një takim të formatit tjetër në Gjakovë, ndryshe prej mbledhjes së planifikuar të dy qeverive. Rama ka thënë se mbledhja nuk mund të mbahet në këto kushte, sipas tij, të agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me të gjithë bashkësinë euroatlantike.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rama ka thënë se situata aktuale në Kosovë “po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme”.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes, për të diskutuar pikërisht për këtë situatë e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin faktikisht në butonin që do të vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë Rama, raporton KosovaPress.

Sipas Ramës, ndërkombëtarët janë duke e humbur durimin.

“Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, besoj shumë që të mund të takohemi, për të ballafaquar opinionet në kushtet kur e përsëris jemi në prag të vënies në lëvizjes së planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksionet, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit. Kam bërë një përpjekje për të u kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, ka thënë Rama.

Pak para mbajtjes së kësaj konference, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës lidhur me anulimin e mbledhjes së dy qeverive, por nga ekzekutivi kanë mohuar diçka të tillë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për KosovaPress se “mbledhja nuk është anuluar dhe gjithçka është gati në Gjakovë.

“Mbledhja nuk është anuluar. Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sontëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe si uvertyrë për mbledhjen e nesërme. Për anulimin po dëgjojmë tani nga ju”, ka thënë Kryeziu për KosovaPress.

Javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe te presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ai ka delaruar se pret që një dokument i tillë të çojë dialogun Kosovë-Serbi në një tjetër nivel.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk kam dyshim që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama beson që propozimi i tij për Draftstatutin është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë unë çka propozojë është që kryeministri Rama këtë draft për pakicat kombëtare të ua propozojë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më së largu në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA