Përgatiti: Armand Hoti
Millan Radoiçiq, njeriu që udhëhoqi grupin terrorist, i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, është arrestuar. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, njoftoi se Radojicic është ndaluar për 48 orë nga Polica serbe.
“Policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radojicicit, i cili është ndaluar deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.
Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi të martën se institucioni që ajo drejton është në pritje të kërkesës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të proceduar me inicimin e fletarrestit ndërkombëtar kundër tij. Sipas Haxhiu, gjykimi i Radojicicit duhet të bëhet në Kosovë.
“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojicic të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë”, tha Haxhiu.
Për sulmin që e kryen brenda territorit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se duhet ekstraduar të gjithë pjesëmarrësit.
“Në të njëjtën kohë, edhe ekstradimi dhe dorëzimi i të gjithë atyre që janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe shteti ynë”, tha Kurti.
Derisa Prokuroria Speciale e Kosovës është duke e hetuar sulmin në Banjskë, avokati Hilmi Jashari është skeptik rreth mundësisë që Radojicic të ekstradohet në Kosovë.
“Serbia nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë të bashkëpunimit ndërkombëtar në çështje penale dhe natyrisht ju e dini që këtë e ka bërë për arsye politike… Hendikepi tjetër që e pengon Kosovën është mungesa e nënshkrimit të konventave të Këshillit të Evropës, pasi Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, dhe Kosova ka qenë në pamundësi për t’i nënshkruar këto konventa dhe të bëjë pastaj trysni në mekanizma ndërkombëtarë që Serbia t’i zbatojë këto konventa”, tha Jashari.
E vetmja mënyrë sipas monitoruesve të drejtësisë që të dyshuarit për ngjarjet në Banjskë t’i përgjigjen drejtësisë kosovare është presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Është e rëndësishme që presioni ndërkombëtar të bjerë në anën e Serbisë në mënyrë që këta persona t’u dorëzohen institucioneve ndërkombëtare, përndryshe nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër”, tha Lavdim Makshana nga IKD.
Radojicic i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, më 30 shtator kishte dhënë deklaratë “në cilësinë e qytetarit” në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Atë ditë u tha se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtutjeshme procedurale në kompetencë të saj.