Një banor i lagjes Ulpiana, në rrugën “Taulantina” në kryeqytet, kur vendosi ta rinovonte podrumin e banesës së tij, e nxorri në hapësirë publike gypin e kanalizimit.
Me këtë veprim nuk po pajtohen komshinjtë, të cilët po kërkojnë largimin e tij, për shkak të kundërmimit.
“Po, kemi erë, po shihet qysh është jashtë pamja edhe nuk është një banesë e jetueshme këtu, tha Brahimi”.
“Ne jemi banorë këtu, realisht jetoj me qira, por na pengon era. Zakonisht vjen kur është nxehtë, por edhe kur fillon të ftohet kjo kohë. Madje, kur bie shi, vetëm kundërmon keq, tha Xani”.
ATV-ja mëson se pronari i këtij podrumi nuk jeton në Kosovë, ndërkaq i njëjti është i mbyllur e punime nuk po bëhen.
Kësisoj banorët po kërkojnë veprim instituciol për ta sanuar këtë problematikë.
“Kemi bërë ankesa në komunë, kanë ardhur, por nuk kanë marrë asnjë masë. Po këna shumë probleme, por askush nuk po merret me to dhe nuk po dimë më se ku të ankohemi, tha Brahimi”.
Por, Komuna e Prishtinës në një përgjigje për ATV-në thotë se kjo është përgjegjësi e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”.
Ndërkaq nga kjo kompani deklarohen se infrastruktura e tyre nuk paraqet ndonjë defekt, dhe se përgjegjësia për këtë problem bie mbi vetë pronarin.
Rrjeti ynë është në rregull, por këta kanë problem me horizontale që del në kolektorin tonë, e cila bie në përgjegjësi të vetë banorëve. Kjo gjendje ka qenë që më herët.”
Me këtë problematikë banorët e kësaj zone po përballen tash e disa muaj.