PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Mërgimtarët që vijnë në Kosovë, në pikat kufitare duhet ta paguajnë policën e sigurimit, për të cilën ende nuk është vendosur nëse do t’ua rimbursojë këtë vit Qeveria e Kosovës. Mërgimtarët thonë se pavarësisht vendimit të Qeverisë, vitin e kaluar nuk u janë rimbursuar të hollat. Derisa nga Byroja Kosovare e Sigurimeve janë në pritje për një marrëveshje të tillë.
Pikën kufitare në Merdar, e përdori edhe këtë verë për të ardhur në Kosovë.
Por edhe këtë herë, mërgimtari nga Gjermania Hashim Ejupi, pagoi 20 euro policën e sigurimit, pa e ditur nëse Qeveria e Kosovës do t’ia rimbursojë mjetet.
“Edhe vitin e kaluar e kemi paguar sigurimin njësoj si këtë vit, edhe dëshminë po ua tregoj, vetëm para dy viteve nuk kemi paguar. Vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi paguar njësoj si viteve të tjera. Vitin e kaluar e kemi bërë pagesën për shkak që nuk na ka informuar askush, kemi qëndruar 4 javë, por që nuk na kanë informuar”.
Madje, as ata që aplikuan për kompensim qysh vitin e kaluar, ende nuk i kanë marrë të hollat.
“Vitin e kaluar, sigurimin e kemi paguar vetë, na kanë thënë ejani merrni paret në Prishtinë, por paret nuk na janë rimbursuar, e që e mirëpresim këtë vendim të Qeverisë për rimbursimin e parave të sigurimit”.
Ndërkaq, Byroja Kosovare e Sigurimeve pohon se edhe këtë vit është në diskutime me Qeverinë për një marrëveshje të tillë.
“Jemi në diskutime të draftit të marrëveshjes që i bie që Qeveria ka interesim edhe këtë vit që t’i subvencionojë policat e bashkatdhetarëve, mirëpo si çdo vit edhe këtë vit përcillet një draft, diskutohet, aprovohet dhe pastaj shkohet në rishikim, nuk e dimë se kur do të jetë final, as kur do të kthejë përgjigje finale Ministria që pajtohen me draftin e Marrëveshjes dhe nuk e dimë kur do të jetë data e fillimit të implementimit”.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 5 milionë euro për rimbursim, ndërsa në vitin 2022 ndau 3 milionë euro. Këtë vit Qeveria ende nuk ka ndarë fond për këto shpenzime që i kryejnë bashkatdhetarët.