Përgatiti: Driton Sadiku
Qeveria e ndryshoi formën e përfitimit, por nuk e rriti vlerën e ndihmës për familjet me asistencë sociale.
Me reformën në skemën sociale, jo të gjitha familjet që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeçare do të jenë përfituese, njashtu edhe jo të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune do të penalizohen nga kjo ndihmë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmendi vetëm herët e kaluara, kur janë marrë vendime të tilla.
“Sa i përket shumës si të tillë ne gjatë viteve të kaluara kemi ndryshuar formulën e përllogaritjes, pastaj edhe kemi rritur mesatarisht shumën, ka qenë për 30 për qind, normalisht që në vazhdimësi shohim sipas nevojës dhe përshtatim, mirëpo aktualisht jemi në fazën e pilotimit dhe me informatat që mbledhim nga ky pilotim do të shohim si të vazhdojmë tutje”, tha Murati.
Pika e parë për të qenë përfitues të ndihmës sociale është që familja të ketë të ardhura nën 100 euro për kokë anëtari.
Sipas ministrit Murati, kjo është bërë me qëllim të heqjes së diskriminimit dhe rritjes së punësimit.
Por, ndryshe mendojnë ekonomistët, teksa thonë se qeveria duhet të përkrahë sektorin privat e jo të merret me skema sociale.
“Orientimi qeveritar në një politikë shumë më tepër sociale sesa zhvillimore është dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës. Vërehet që viteve të fundit shumë më tepër kemi qenë të orientuar në këtë drejtim që të mbështetet aspekti social përmes ndihmave afatshkurtra sesa të mbështetet sektori privat për zhvillim ekonomik dhe derisa nuk kemi zhvillim ekonomik të qëndrueshëm barra sociale do të jetë shumë më tepër pengesë dhe ngarkesë për shtet se sa zhvillim”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.
Gërxhaliu vlerëson se reformat në skemën sociale mund t’i shtojnë familjet me asistencë sociale, teksa aktualisht llogaritet që rreth 25 mijë familje janë përfitues të socialit në nivel vendit.
Aktualisht pensionet variojnë nga 70 deri në 250 euro, varësisht nga gjendja e familjes përfituese.