Përgatiti: Nora Luta
Një Institut kulturor paralel i ashtuquajtur i Kulturës Serbe-Prishtinë me seli në Leposaviq, i akredituar nga Serbia, po financohet edhe nga buxheti i Kosovës.
Institutit, i cili ndodhet rreth 300 metra larg objektit të Komunës së Leposaviqit, nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm i janë ndarë 54 mijë e 778 euro.
Ky Institut, i cili para periudhës së luftës kishte pasur selinë në Prishtinë, financohet nga Serbia dhe funksion me ligje të këtij shteti, e në hyrje të tij ndeshesh me simbole të strukturave paralele, sikurse Kosova dhe Metohija.
Në ndarjen e buxhetit, vetëm për paga dhe shtesa për pesë të punësuar, siç thuhet për vitin 2024, janë planifikuar 38 mijë euro.
Brenda tij janë më shumë se 5 punëtorë, të cilët refuzojnë të ndajnë informacione me televizionin.
Ai është akredituar ndër vite nga Serbia si institut shkencor në fushën e shkencave sociale dhe humane, e së fundi në vitin e kaluar.
“Përgjatë historisë së tij dhjetëvjeçare, Instituti ka evoluar në një institucion serioz shkencor që merret kryesisht me studimin e kulturës serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin rreth veprimtarisë së këtij institutit në web-faqen e tij.
Në të, në mesin e linçeve të përdorshme, është bashkangjitur edhe ai që të dërgon në faqen elektronike të Ministrisë së Arsimit të shtetit serb.
E ndër projektet e përfunduara gjatë dhjetë vjetëve të fundit është edhe ai, sikurse “Kultura materiale dhe shpirtërore e Kosovës dhe Metohisë”.
Ministria e Arsimit e Kosovës, në një përgjigjeje për ATV ka thënë se kjo linjë buxhetore është e trashëguar tash e më shumë se 10 vjet, duke shtuar se buxhetin për vitin e ardhshëm Insitutit mund ta shfrtyëzojë vetëm nëse e njeh Republikën e Kosovës.
“Për njohurinë tuaj, që nga koha kur e kemi marrë mandatin si Qeveri, këtij Instituti nuk i është ndarë asnjë cent. Buxheti për Institutin e Leposaviqit vazhdon të qëndrojë edhe për vitin e ardhshëm në mënyrë që nëse janë të gatshëm ta njohin Republikën e Kosovës, sistemin e arsimit në Kosovë si dhe të veprojnë sipas legjislacionin tonë, ta kenë buxhetin në dispozicion. Në të kundërtën nuk mund ta shfrytëzojnë këtë buxhet”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.
Deri në vitin 2026 vlera e buxhetit për këtë institutit sipas ndarjes buxhetore që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës parashihet të arrijë deri në shumën prej rreth 74 mijë eurosh.