Kabineti qeveritar ka mbajtur mbledhjen me vetëm dy pika të rendit të ditës. Qeveria ka miratuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, i cili parasheh heqjen e diskriminimit si kusht për 15 vjet stazh pune deri më 1999. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se me këtë vendim do të përfitojnë rreth 70 mijë persona. Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe projekt-kodi doganor dhe i akcizave, ku u tha se është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ka përfunduar draftimi i projekt-kodit doganor dhe i akcizave në përputhje me direktivat relevante të BE-së.
“Në raport me Kodin Doganor që është në fuqi është pothuajse gjashtëfish më shumë dhe kodi aktual që është në fuqi, është i miratuar qysh në vitin 2008. Ka tash 15 vjet që nuk ka ndryshuar dhe është koha që të përshtatet me direktivat e fundit të BE-së. Ky projekt-kod doganor i akcizave siguron një kornizë gjithëpërfshirëse për rregullat dhe procedurat doganore dhe përshtatet me zhvillimet e fundit në fushën e tregtisë dhe përdor mjetet moderne të komunikimit, duke siguruar një sistem plotësisht të automatizuar. Ka gjashtë libra gjithsej, pjesë e këtij drafti të kodit janë Ligji i Doganës, Ligji i Akcizës, Ligji për Kundërvajtje Doganore, Ligji për Administratën Doganare, Ligji i Lirimeve si dhe Libri për dispozitat kalimtare”, theksoi Murati.
Në këtë draft, Murati shtoi se përcaktohet se kush janë obliguesit akcizor, si paguhet dhe raportimi në përputhje me direktivat e BE-së.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për plotësimin e ndryshimit të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti.
Kurti theksoi se ky projektligj është në linjë me premtimin e bërë, për trajtimin e barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale.
“Në përputhje me zotimin tonë e siç kemi paralajmëruar në fillim të këtij viti, po e bëjmë reformën pensionale. Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem pensional solidar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe kujdeset për pensionistët. Kjo skemë e zhduk dallimin dhe margjinalizimin, e u garanton qasje të mira sociale të gjithëve. Këtë duhet ta bëjë Republika dhe këtë po e bëjmë së bashku”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dha detaje për ndryshimet që parashihen në këtë projektligj. Ai njoftoi se ka pasur diskriminim në pragun e vendosur si kusht për 15 vjet stazh pune.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu si kusht 15 vjet stazh pune, mirëpo nuk janë marrë parasysh rrethanat e largimit të dhunshëm nga puna të atyre që kanë qenë duke punuar që nga viti 1989 dhe më pastaj me hyrjen në fuqi të masave të dhunshme. Dhe si rezultat i largimit të dhunshëm, kanë mbetur shumë persona, shumë punëtor të cilët kanë kontribuar me 14 vite e 11 muaj, por për shkak të largimit të dhunshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë kushtin prej 15 vitesh. E me këtë rast, me këtë ndryshim-plotësim të këtij ligji ne po e zhbëjmë atë diskriminim. Sepse do t’u mundësohet që për periudhën që nga koha kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, tu llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh, ndërsa lartësia e pensionit pastaj do të caktohet bazuar në vitet që kanë kontribuar në Fondin Pensional. Hiqet ky diskriminimi i prerjes, ku dikush ndoshta për një muaj s’ka arritur ta plotësojë kushtin, ne me këtë po e heqim këtë diskriminim duke ua mundësuar që ta llogarisin edhe periudhën prej kur janë larguar nga puna”, ka thënë Murati.
Murati shtoi se nga ky plotësim-ndryshim i ligjit parashihet që të përfitojnë mbi 100 mijë persona. Sipas tij, këto ndryshime në ligj për një vit të plot do të kushtojnë rreth 60 milionë euro.
“Parashihet që të përfitojnë rreth 104 mijë persona, që do të plotësonin kushtin. Pra, për të përfituar nga ky ndryshim-plotësim i këtij ligji. Megjithatë duhet të përllogaritet ose duhet të marrim parasysh që disa mund edhe të kenë ndërruar jetë, ose disa mund të mos kenë arritur ende moshën e pensionimit. Vlerësimet tona janë që përafërsisht, aktualisht në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70 mijë persona që marrin nga pensioni bazik, por që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensinonin parcial kontribut pagues të moshës”, shtoi ai. /kp