Qeveria e Kosovës i është kundërpërgjigjur Brukselit që së fundmi kërkuan që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe të bëhet në bazë të propozimit të tyre.
Nga Zyra e Kryeministrit thanë sot se nuk munden që pas një viti takim, ku ishte refuzuar oferta e palës së Kosovës, të nxjerrin siç thanë ata, draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhin paketën e njohjes de facto reciproke.
Në deklaratën e Qeverisë thuhet se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, as të emisarit të tij, Miroslav Lajçak dhe as të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe se ai dokument është vetëm një non-paper.
“Kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduar. Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit. Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara”, thuhet në njoftim.
Reagimi i plotë i ZKM-së:
Në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel me kancelarin gjerman Scholz, presidentin francez Macron, kryeministren italiane Meloni, presidentin e Këshillit Evropian, Michel, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell dhe emisarin e BE-së, Lajcak, Kryeministri Kurti kishte ofruar që të nënshkruhet paketa e Marrëveshjes Bazike, përfshirë draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Një gjë e tillë u refuzua nga Serbia. Krahas refuzimit për të nënshkruan pakon, Serbia kishte kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023. Në fund të atij takimi Kryeministri kishte thënë: “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, siç edhe potencohet në komunikatën zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me atë takim që mund ta gjeni në këtë link: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-pas-takimit-ne-bruksel-me-kreret-e-bashkimit-evropian/. Meqenëse nuk pati nënshkrim, andaj nuk ka as pranim.
Kjo nuk është hera e parë që ofertat nga ana e Kryeministrit Kurti që kanë të bëjnë me zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, janë refuzuar. Një e tillë ishte refuzuar edhe në Ohër në mars 2023 kur Kryeministri Kurti kishte shprehur gatishmërinë për hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, Letrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini të vitit 2015 dhe opinionin e publikuar të emisarit amerikan Escobar dhe këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Chollet në vitin 2023.
Kërkesat tona gjithmonë kanë për qëllim sigurimin dhe garantimin e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjeve të dakorduar. Andaj edhe ekziston insistimi ynë që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të zbatimit. Qëndrimet dhe propozimet tona gjithmonë respektojnë një rend të gjërave. Prandaj, nuk mundemi që një vit pas takimit të tetorit të vitit të kaluar, në të cilin refuzohet oferta jonë për nënshkrimin e paketës, të nxjerrim draft statutin e BE-së nga paketa e ta hedhim paketën e njohjes se paku de facto reciproke. Rikujtojmë se draft statuti i BE-së nuk e ka nënshkrimin as të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell e as të emisarit të tij, Lajçak, aq më pak të Kryeministri Kurti. Statusi i draft statutit është ai i një non-paper, njëri ndër disa propozimet që janë bërë në vitet e kaluara.