Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar vendime të reja për gjobitejn e partive politike për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore.
PZAP publikoi 13 vendime që i mori më 25 janar 2025, në disa prej tyre janë shqiptuar gjoba, disa ankesa janë refuzuar e të tjera janë hudhur poshtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përmes një vendimi të marrë më 25 janar, është hudhur si e pasafatshme ankesa e parashtruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi- KDTP, kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e dizajnit dhe broshurës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
PZAP ka pranuar ankesën e organizatës joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizmi”, duke e gjobitur me 5 mijë euro Koalicionin për Familje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.
OJQ e lartpërmendur kishte dorëzuar ankesë më 23 janar 2025 pas postimit të bërë në Facebook nga kandidati i kësaj partie Jeton Haxhimustafa, i cili kishte shkruar në Facebook se “A po e kuptoni se këtu kemi të bëjmë me ideologji dhe kemi shumë arsye për t’u përgjigjur masovikisht këtyre bojkotimeve që po i bëhen Koalicionit për Familje, fillimisht përmes RTK-së dhe tani përmes PZAP-së vetëm që të na detyrojnë të heshtim përballë degjenerimit. Përkundrazi, s’ka pushtet që i nënshtrohemi apo na pengon t’i themi jo martesës burrë me burrë e grua me grua. PIKË!”.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shkak i kësaj gjobe, PZAP thotë se ishte një video e postuar në TikTok nga kandidati për deputet Valon Ramadani, ku përdorë gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse ndaj partive kundërshtare.
Kurse, një tjetër ankesë e PDK-së ndaj LVV-së është refuzuar si e pabazuar. PZAP gjithashtu ka refuzuar një ankesë të LVV-së ndaj PDK-së e tri tjera ndaj LDK-së, po ashtu për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.
Në një rast, PDK-ja është gjobitur me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së se kandidati për deputet i PDK-së, Faruk Bojaxhi postoi foto me tekst shoqërues të realizuar në Bashkësinë Islame dhe Ipeshkvinë e Prizrenit, në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Edhe në rastin e dytë, PDK-ja u gjobit me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së, për vendosje të banerave nëpër rrugë, hapësira publike dhe shtylla ndriçuese në Suharekë.
E Partia e Serbëve të Kosovës është gjobitur me 3 mijë e 500 euro për vendosje të banerave e posterëve në hapësira publike në Mitrovicë të Veriut. Gjoba u shqiptua pas ankesës së LVV-së. Por, është hudhur si e palejuar ankesa e LVV-së ndaj subjektit politik Demokracia Serbe.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së LVV-së për vendosje të banerave në hapësira publike në Suharekë.