PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI
Disa punëtorë teknikë të cilët kanë kontrata me komunën e Prishtinës, po ankohen se nuk kanë marrë pagë gati 4 muaj nga ky institucion. Ata thonë se po detyrohen që të punojnë punë të tjera gjatë vikendit për të mbajtur familjen. Me këtë problem është e njoftuar edhe sindikata e pavarur e sektorit privat.
Hashim Brajshori, i cili punon si punëtor teknik tash e 23 vite, nga shkurti nuk ka marrë pagë për punën që kryen në shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Për këtë ai thotë se disa herë është endur nëpër komunën e Prishtinës, pasi kontratën e ka të lidhur më ta, por askush nuk i ka bërë zgjidhje.
Pavarësisht se tash e tre muaj është pa pagë mujore, ai nuk e ka ndalur punën, mirëpo thotë se detyrohet që gjatë vikendit të bëjë punë të tjera krahu për të mbajtur familjen.
Me raste të tilla është i njoftuar edhe Drejtori i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat Jusuf Azemi.
Madje ai thotë se kanë paraqitur edhe para gjykatës një rast të njëjtë.
ATV-JA ka dërguar pyetje edhe ne Komunën e Prishtinës por këta të fundit nuk janë përgjigjur, duke kërkuar kohë së paku deri javën e ardhshme.