Aktori 63-vjeçar George Clooney pranoi se ngjyra e errët e flokëve që kishte bërë për rolin e gazetarit legjendar Edward R. Murrow në shfaqjen e Broadway, Good Night and Good Luck, nuk ishte e përshtatshme, shkruan Daily Mail, transmeton KosovaPress.
Në një intervistë për CBS Mornings, ai u përgjigj ndaj publikut që e kritikuan pamjen e tij të re, duke përmendur flokët e ngjyrës së errët dhe bronzin portokalli të lëkurës. Disa prej tyre u shprehën se dukej “20 vjet më i vjetër”, ndërsa të tjerë e krahasonin me ngjyrën e markerit permanent “sharpie”.
Clooney vetë e pranoi se nuk ndihej rehat me pamjen e re: “E di që nuk është mirë. Nuk jam mësuar ende me këtë pamje”. Ai tregoi se kishte filluar të thinjej që në moshën 25-vjeçare dhe nuk ishte aspak i apasionuar pas ndryshimit. Kur udhëheqësja e programit, Gayle King, komentoi se duhej pak kohë për t’u mësuar me flokët e tij të errët, George iu përgjigj: “E di që nuk është mirë!”, madje shtoi me humor se “as gruaja ime nuk ka problem, por fëmijët qeshin me mua”. Ai pranoi se nuk ka gjë që të të bëjë të dukesh më i vjetër sesa të jesh një burrë 63-vjeçar me flokë të ngjyrosur.
Në lidhje me jetën personale, Clooney theksoi marrëdhënien e tij të shkëlqyer me bashkëshorten, Amal Clooney, duke thënë se nuk kanë pasur asnjëherë një debat. “Po kërkojmë ndonjë gjë për të debatuar”, tha ai me humor, duke shtuar se ndihen me fat dhe të bekuar që janë së bashku. Ai e përshkroi Amal si një grua të jashtëzakonshme dhe e konsideron veten “njeriun më me fat në botë”. Çifti ka dy fëmijë, binjakët Ella dhe Alexander, dhe e përshkruajnë martesën si “më të lehtë se çdo gjë tjetër në jetën e tyre”.