Publikohet deklarata e plotë që u nënshkrua mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë – çka përmban?

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka publikuar sot tekstin e plotë të nënshkruar më 18 mars nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova.

Deklarata thekson marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme mes këtyre tri shteteve, të cilat janë të bazuara në vlera të përbashkëta, orientime strategjike të njëjta dhe angazhime të përbashkëta për siguri dhe bashkëpunim rajonal.

Shtetet e përfshira shprehin angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me qëllim për të rritur stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian.

Gjithashtu, deklarata thekson mbështetje të plotë për integrimin euroatlantik të shteteve të rajonit, duke përfshirë dhe angazhimin për perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe ofrimin e mbështetjes për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Sipas deklaratës, nuk krijohet asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve nënshkruese, dhe gjithashtu ajo nuk ka ndikim në detyrimet ekzistuese të këtyre shteteve ndaj vendeve të tjera.

Vlen të cekët se kjo deklaratë u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij nga Kroacia e Shqipëria, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiq.

Deklarata e plotë:

Deklarata e Përbashkët pas takimit ndërmjet ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kosovës, mbajtur në Tiranë, Shqipëri, më 18 mars 2025:

Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,

Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,

Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,

Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës”,

Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë,

Ne: Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:

1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

– Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
– Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
– Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

– Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
– Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
– Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

– Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
– Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
– Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

Nënshkruar në Tiranë, më 18 mars 2025

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë
Z. Pirro VENGU
Ministër i Mbrojtjes

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë
Z. Ivan ANUŠIC
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kosovës
Z. Ejup MAQEDONCI
Ministër i Mbrojtjes

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA