Buxheti 2027, investimet kapitale për herë të parë shënojnë rritje mbi 1 miliard euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se investimet kapitale për vitin e ardhshëm do të arrijnë një miliard e shtatëdhjetë milionë euro.
Ai këto komente i bëri sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në të cilin u miratua projektbuxheti për vitin 2027 në vlerë 4.27 miliardë eurosh, ku prej tyre 908 milionë do të ndahen për komunat.
Reklamë
“Investimet kapitale për herë të parë do të shënojnë rritje mbi 1 miliardë euro në buxhet, konkretisht 1 miliardë e 70 milionë euro që përbën një rritje prej 7.2 për qind apo 8 për qind e bruto produktit vendor”, tha Murati.
Murati theksoi se prioritet i qeverisë në buxhetin për vitin 2027 janë sektori i shëndetësisë, sigurisë, infrastrukturës dhe i të bërit biznes.
“Në përgjithësi, përveç aktiviteteve të rregullta, prioritet në buxhetim ishin sektorët në mbrojtjen e sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës por edhe klimës së të bërit biznes. Sa i përket deficitit buxhetor për vitin 2027, pritet të jetë 622 milionë euro në përputhje me rregullën fiskale”, tha Murati.
Ndryshe, projektbuxheti 2027 është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për 2026 dhe 300 milionë më i lartë se sa buxheti bazë i vitit 2026. Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat, teksa shtesat për fëmijë do të rriten 25 për qind, ndërsa bruto produkti pritet të arrijë në 13.4 milionë euro.
Pas miratimit, projektligji duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.
Reklamë







