Banorët e fshatit Bellanicë dhe fshatrave përreth të Malishevës kanë organizuar sot një protestë paqësore para Prokurorisë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi rreth çështjes së privatizimit të pronave në Dubravë dhe OPB “Mirusha”.
Kryetari i Këshillit për kthimin e pronave në Dubravë, Hazir Hoxha tha për KosovaPress se ky problem është duke zgjatur qe 13 vjet. Ai ka zbuluar emrat e personave që sipas tij kanë marrë pronat e tyre private pa leje.
“Kjo vazhdon që 13 vite, gjatë informacioneve që kemi marrë dhe dokumenteve që i kemi në posedim, na del se kemi bërë kallëzim penal. Një grup i mirë organizuar për këtë çështje, interesat e tyre ose kanë qenë personale ose grupore… Kallëzimi penal me ekzekutim të arsyeshëm të këtyre të dyshuarve Ahmet Shala, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Gani Krasniqi ish- kryetar i Komunës të Malishevës, Isni Kilaj ish-kryeshef në komunën e Malishevës, Emrush Kastrati ish-mbikëqyrës i Gjykatës Komunale të Malishevës, Imer Hoxha ish-kryetar i Gjykatës të Qarkut në Prizren, Hazir Hazrolli ish-drejtor i ndërmarrjes së Mirushës në Banjë të Malishevës dhe të tjerë. Këta 9 vetë akuzohen që kanë bashkëpunuar dhe na kanë marrë pronat edhe pse kanë qenë private, tash do të del historia e tyre, këta kanë shkuar dhe e kanë fshehur,” tha Hoxha.
Banori i fshatit Bellanicë, Halil Hoxha shtoi se askush nuk po i dëgjon ankesat e tyre, e gjithashtu i quajnë edhe “uzurpues”. Ai tregoi që nuk do të ndalen derisa të rikthejnë pronat e tyre.
“Ne kemi ardhur për një hall tonin, për një pasuri tonën që ishte. Shteti na i ka marrë. Kemi dokumente valide sikur ata që e kanë nxjerrë sepse kanë pasur “të fortin aty”, kryetarin e komunës, pikërisht Gani Krasniqi… Askush nuk po i dëgjon fjalët e tona. Ne që 14 vjet në realitet e quajmë edhe uzurpues. Deri në pikën e fundit, deri kur ekziston gjykata në botë, ne kemi për ta mbajtur,” tha Hoxha.
Motoja e protestës së banorëve të Bellanicës ishte “Në asnjë mënyrë nuk do ta lejojmë që fëmijët tanë të jenë rrogëtarë të shefave të krimit në pronat e tyre. Nuk kemi nevojë për mëshirë. Duam vetëm drejtësi!”.
Ndryshe, banorët e Bellanicës kanë problem me tokat që pretendohet se dikur kanë qenë të tyre. Bëhet fjalë për 375 hektarë tokë. Këto prona janë të ndërmarrjes shoqërore “Mirusha” e që banorët thonë se në vitin 1958 pushteti i atëhershëm ua mori me dhunë. Zanafilla e krejt kësaj buron që nga 1958, për të vazhduar me dekada të tëra.