Në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, në praninë e krijuesve e kritikëve letrarë, u promovua libri i autores nga Ferizaj, Valbona Hadri, me titullin “Ende Frymon”.
“Për të gjetur inspirimin, poetit nuk i mungon asnjëherë, sepse kudo që jesh, ngado që të shkosh gjen frymëzim për të shkruar diçka. Poeti është ajo botë gjigande e cila në vete ngërthen shumë ngjarje dhe ngjarjet e tilla i përcjell përmes mesazhit. Mesazhi i poetit është poezia, prandaj kjo është edhe frymëzimi i im. Poezitë i kam shkruar shumë më herët të kësaj përmbledhje, por megjithatë botimet i bëj për çdo vit nga një. Tani kam në dorëshkrim edhe përmbledhjen e radhës, të cilin shpresoj se do e botojmë së shpejti”, tha Hadri.
Dashuria për Çamërinë është shpeshherë burimi i frymëzimit për shkrimin e vargjeve të poetes.
“Librin të cilin sot e promovova, i përkushtohet fëmijëve të mi, Aidisonit, Lorikut dhe Flamurit, për të cilët në fakt e kam kushtuar edhe jetën. Ka qenë misioni i im që të jem një nënë e denjët dhe të bëj diçka për fëmijët e mi, prandaj libri është dedikuar për ta. Ndërsa mesazhi i përcjellë nga libri “Ende Frymon”, i kushtohet Çamërisë, sepse Çamëria është ajo pjesa e cila më dhemb në shpirt dhe ajo e cila në fakt ende frymon në shpirtin tim, por ende duhet të frymojë edhe në shpirtin e të gjithë bashkatdhetarëve të mi për të pasur një qasje dhe një mundësi që të gjejmë në një të ardhme një bashkim të Çamërisë, pse jo”, tha Hadri. /atvlive.tv