Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Kaqanik i Vjetër, në komunën e Kaqanikut, shkruan Gazeta Sinjali.
Të pandehurit J.J dhe V.T akuzohen për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, bazuar në nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së, që ishte në fuqi gjatë periudhës së kryerjes së veprës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake e policore serbe, kanë kryer vrasjen e dy civilëve shqiptarë, R.E dhe M.H. Ata gjithashtu akuzohen për dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimave, si dhe për plaçkitjen e pasurisë së tyre.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për autoritetet e drejtësisë kosovare.
Institucioni i akuzës theksoi se mbetet i përkushtuar në ndjekjen e krimeve të luftës për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të garantuar llogaridhënie sipas standardeve ndërkombëtare.