Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij përkundër faktit që ka qenë i obliguar me urdhër të gjykatës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga prokuroria përcjell KosovaPress.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë me dije se edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq kryeministri Kurti tha se nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë e tij do të duhej të shkonte te ai.
“Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”, tha Albin Kurti të martën në Gjilan.
Ai, me urdhër të Gjykatës Themelore, duhej të paraqitej sot më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshmi në një rast të rezervave shtetërore, por zgjodhi të marrë pjesë në një ngjarje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.