Përgatiti: Fatlum Jashari
Në fund të mandatit, Qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend Projektligjin për Rezervat e Detyrueshme të Naftës – i cili bazuar në rrethanat aktuale pritet të trajtohet tek në legjislaturën e re.
Sidoqoftë, me qëllim të rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtur sigurinë publike e shtetërore, projektligji parasheh krijimin e rezervave të detyrueshme që duhet të mbulojë së paku 90 ditë të mesatares së importit ditor apo 61 ditë të mesatares të konsumit të brendshëm ditor.
Bazuar në sasinë mesatare të importit nga vitet paraprake, vlera e përgjithshme e rezervave vlerësohet të arrijë përafërsisht 200 milionë litra naftë dhe benzinë.
Pos vajrave si lëndë djegëse, produkt tjetër që përbën rezervat e detyrueshme është karburanti për aviacion.
Sasitë e krijuara, gjithnjë sipas dokumentit, do të ruhen nga një deponues – cili duhet të jetë i pajisur me leje – dhe të cilin do ta zgjedhë Qeveria, përkatësisht Ministria përgjegjëse.
Projektligji saktëson që “deponimi i rezervave të detyrueshme përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik” dhe që “kohëzgjatja e kontratës me deponuesin të është pesë vjeçare”.
Mbikëqyrjen dhe menaxhimin parashihet ta bëj departamenti përkatës në kuadër të Ministrisë përgjegjëse për tregun e naftës.
Ndërsa, financimi i rezervave, deponimit, mirëmbajtjes, sigurimit dhe verifikimit të cilësisë, parashihet të bëhen nga buxheti i shtetit.
Sasitë që nuk i përfshin projektligji janë ato të produkteve të naftës të krijuara sipas ligjit për rezervat shtetërore të mallrave, rezervat e huaja, e as ato të operatorëve ekonomikë.
Të kontaktuar nga televizioni, disa prej anëtarëve të Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nuk qenë fare në dijeni të procedimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvend.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: